Koreano-veriorët gati për luftë, testojnë “raketën përbindësh”, duan të njihen si fuqi bërthamore

Një sfidë e re është shfaqur në horizont për amerikanët dhe aleatët në Azi. Koreano-veriorët kanë testuar një raketë me teknologji të re, e cila mund të mbajë mbushje bërthamore. Koreja e Veriut kërkon të bëhet pjesë e vendeve me arsenal bërthamor, por kjo do të prishte shumë balanca në rajon. Analistët presin si do të jetë përgjigjja amerikane, ndërsa administrate Biden nuk e ka prioritet vendin e izoluar komunist.

Me një stil si në filmat e Hollywoodit, televizioni shtetëror koreano-verior ka bërë publike një video ku diktatori Kim Jong Un shfaqet duke udhëhequr procesin e lëshimit të raketës.

Testi i fundit, sipas analistëve të rajonit, tregon se Korea e Veriut kërkon t’i bëjë presion amerikanëve që ta pranojnë si një fuqi bërthamore dhe të heqin sanksionet ndaj saj.

Ky hap i ndërmarrë nga koreanoveriorët mund ta ndërlikojë më shumë situatën në rajon. Ata mund të jenë shndërruar në një fuqi bërthamore, por kjo ngelet e dyshimtë për shkak të informacioneve të pakta që dalin nga vendi diktatorial.

Një Kore me armë nukleare do ta ndërlikonte shumë punën për komunitetin ndërkombëtar, duke sjellë negociata mes Kinës dhe Amerikës si edhe një raund të ri negociatash mes koreano-jugorëve, vëllezërve në veri dhe japonezëve.

Raketa e testuar këtë javë është e një teknologjie të re dhe mundi të udhëtonte 71 minuta në hapësirë përpara se të ulej pranë ujërave territoriale japoneze. Japonezët ndërkaq kanë njoftuar se do të kërkojnë për mbetje raketore brenda zonës së saj detare për të analizuar teknologjinë që po përdor Korea e Veriut.

Situata në gadishull është e tensionuar. Sipas koreano-jugorëve këto teste janë të ndaluar me konventa ndërkombëtare. Presidenti i Koresë së Jugut gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kritikoi diktatorin e Koresë së Veriut për thyerjen e një moratoriumi për këto teste, që sipas koreano-jugorëve përbëjnë "kërcënim serioz" për rajonin dhe komunitetin më të gjerë ndërkombëtar.

Edhe OKB-ja ka reaguar për rastin duke thënë se kjo është shkelje e moratoriumit dhe e Rezolutave të Këshillit të Sigurimit që mund të sjellë tensione në rajon.

Hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nga amerikanët janë një sfidë gjithashtu. A do të jetë i njëjti skenar për të dënuar aktin dhe shpallur më shumë sanksione  apo do të ketë diskutime dhe bashkërendimin me Kinën, me shpresën se Pekini mund të ndikojë te Phenianin fqinj.

Armatosja gjer më dhëmbë është bërë prioritet nga regjimi komunist koreanoverior, edhe pse përballet me një krizë "të rëndë" ekonomike, ku dyshohet se ka njerëz që vdesin nga uria. Pheniani është i vendosur të bëhet pjesë e vendeve me arsenal bërthamor dhe shumica e analistëve besojnë se do të ketë më shumë teste në të ardhmen.

Administrata e Bidenit ndërkohë nuk e ka prioritet Korenë e Veriut dhe nëse Uashingtoni zgjedh ta marrë përsipër këtë sfidë, pyetja është se çfarë mund të bëjnë më shumë nga ajo që nuk është ndërmarrë tashmë.