Po shkatërrohet barrier korale në Australi

Një nga monumentet më të bukura të natyrës, Barriera e madhe koralore në Australi, po pëson transformime të këqija për shkak të ngrohjes globale.

Janë shumë zona të kësaj mrekullie të natyrës që janë prishur si shkak i ngrohjes së temperaturave të oqeaneve, teksa specialistët kërkojnë të merren masa të menjëhershme.

Shkencëtarët njoftojnë se është hera e katërt në gjashtë vjet që zbulohen dëme kaq të rënda dhe të përhapura të shkaktuara nga temperaturat e ngrohta të detit. Sipas tyre, nëse vijon me këtë ritëm shkatërrimi, pas disa kohësh Barriera Koralore do ta humb statusin e saj si Trashëgimi e Njerëzimit.

Shkencëtarët apeluan për veprime urgjente nëse australianët duan që sistemi më i madh i shkëmbinjve nënujorë në botë të mbijetojë.

Një raport i fundit i dalë nga Qendra Tyndall në Mbretërinë e Bashkuar për Kërkime mbi Ndryshimet Klimatike bënte thirrje për ndërprerje të përdorimit të karburanteve fosile, sepse dëmet në dekadat në vijim janë të pallogaritshme, duke përfshirë thatësira, përmbytje, tajfune dhe tërmete.

Ndërkohë, edhe NASA ka dhënë alarmin për ngrohjen globale. Të dhënat e fundit satelitore flasin për një akullnajë në madhësinë e Romës në Itali që është shkrirë plotësisht këtë javë në Antarktidën Lindore si pasojë e temperaturave të larta rekord që kanë cekur edhe zonat polare.