Serbët në veri në protestë për mbajtjen e zgjedhjeve, Parulla kundër Kurtit
Vendimi i Albin Kurtit për mos hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 3 prillit, ngriti qindra serbë në protesta në veri të Kosovës të cilat fatmirësisht u mbyllën pa incidente.
Në Granaçicë, por edhe në Mitrovicë të veriut janë shpalosur banderolat ‘Paqe kundër dhunës së Kurtit’ dhe ‘Albin Kurti shkatërroi marrëveshjen e Brukselit’.
Më herët disa mjete të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës u vendosën në veri të vendit, megjithëse autoritetet e rendit thanë se kjo ishte vetëm një procedurë normale pune dhe s’kishte lidhje me protestat.
Vendet e Kuintit përmes një deklarate të përbashkët janë shprehur se qytetarët kanë të drejtë të mblidhen.
Kujtomë që më herët SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje që zgjedhjet të mbahen në Kosovë.
Por 5 shtetet bënë thirrje për mos përshkallëzim të protestave në dhunë fizike.
Disa medie raportuan se një grup nga Serbia kishte mbërritur në veri të Kosovës përmes 30 autobusëve.
Kreu i Listës në Kosovë, Goran Rakiç tha se këto janë dezinformata të medieve shqiptare të cilat janë të rrezikshme.
Ai shtoi se pas pezullimit nga detyra të kryetares së Gjykatës së Mitrovicës pasi mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë Vuçiç kolegë të saj bënë të njëjtën gjë në shenjë solidariteti.
Rakiç: Punonjësit e gjykatës nuk kanë shkuar në punë sot në mëngjes në shenjë solidariteti me kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, të njëjtin vendim e kanë marrë edhe përfaqësuesit politikë serbë, të cilët me iniciativën e tyre do të pezullojnë punën nga institucionet e Kosovës deri në një njoftim të dytë.
Qeveria e Kosovës tha se nuk do të hapte qendrat e votimit për serbët atje nëse qeveria serbe nuk i dërgonte Prishtinës një kërkesë zyrtare për mbajtjen e tyre.
E kështu, njësoj si në referendumin serb të 16 janarit, serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, nga të cilat presidenti Vuçiç kërkon një mandat të dytë.