Kroacia i merr Shqipërisë "prokurën" e Kosovës, Kurti: Do lobojë për anëtarësim në BE dhe NATO
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të ishte shkurtpamësi dhe papërgjegjësi nëse Kosova nuk do ta kërkonte anëtarësimin në NATO në kontekstin aktual.
“Vendet anëtare të NATO-s janë më të sigurta, pse edhe ne të mos sigurojmë një gjendje të tillë për Republikën tonë. Nëse ka ardhur një kontekst i ri gjeopolitik, atëherë do të ishte shkurtpamësi dhe papërgjegjësi nëse nuk e kërkojmë tash anëtarësimin në NATO. Është gabim të mos e kërkojmë një gjë të tillë në këtë kontekst aktual”.
Avokate dhe lobuese kryesore në këtë proces Kurti sheh tashmë Kroacinë, ku presidenti i saj hodhi sot hapin e parë.
“Kroacia ka qenë gjithmonë një vend mik dhe popull mik edhe në kohën e ish-Jugosllavisë lidhja e Prishtinës me Zagrebin ka funksionuar për ta balancuar dominim e Beogradit. Zagrebi dhe Lubjana kanë qenë kryeqendrat të cilat na kanë përkrahur gjatë kohës së okupimit dhe në këtë mënyrë arrinin ta balanconin dominimin e Beogradit. Kroacia është shteti i parë që ne shikojmë nga veri-perëndimi e që është në dy organizatat që ne aspirojmë. Duhet ta pyesim Shqipërinë, shpresojmë që e ka bërë të njëjtën, edhe ajo duhet sa më shumë të avokojë, të lobojë për Kosovën. Ne jemi të interesuar të kontribuojmë në NATO. Gjeneralët amerikanë kanë thënë se te Ushtarët në FSK nuk vërejnë kurrfarë ngecjesh në krahasim me kolegët e tyre amerikanë apo evropianë”.
Sipas tij Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe vigjilente në raport me Serbinë.
“Duhet të jemi të kujdesshëm e vigjilent por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi jo s’na ndodh ne sepse kjo i jep fuqi kundërshtarit. Në masën kur themi se nuk na ndodh gjë, kjo na rrezikon që të na ndodhë diçka”.
