Vdekja e Albright, Osmani: E tronditur! U bë zëri i Kosovës, populli ynë do të kujtojë përjetësisht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për vdekjen Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së.

Osmani teksa shprehet e tronditur për vdekjen e saj thotë se  Albright u bë zëri i Kosovës, dhe qëndroi kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë.

Ajo thotë se populli e Kosovës do ta kujtoj përjetësisht ish-sekretaren e shtetit të SHBA,ndërsa shton se ishte guximtare dhe modeli i një heroine të pamposhtur.

Vjosa Osmani: E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht.

Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellur vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh.

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçe.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright. 

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton. Fillimisht shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e dytë të Clinton. 

Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s ,nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.