Pezullohet kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, reagon Vuçiç: Kurti po sulmon serbët
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviç.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 24 mars, ku u vendos edhe për themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor ndaj Stevanoviçit. Në njoftim u tha se vendimi për suspendim do të jetë në fuqi deri "në një njoftim tjetër".
Pezullimi i saj vjen pasi ajo mori pjesë në një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke deklaruar se kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviç, është pezulluar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai shtoi se të premten, më 25 mars, pritet të shkarkohen “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars.
“Albin Kurti e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, tha Vuçiç në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Marrëveshja e Brukselit parasheh integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në institucionet e Kosovës.
Vuçiç pretendoi se Kurti me këto veprime dëshiron që të prishë paqen në Kosovë.
“Është ai që me këto vendime dëshiron të sulmojë popullin serb kudo që jeton”, tha ai, duke shtuar se Serbia dëshiron që ta ruajë paqen dhe se do t’i drejtohet për këto veprime shteteve të Quint-it dhe komunitetit ndërkombëtar.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar si "skandaloz" vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Më 22 mars, Vuçiç u takua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me të cilët bisedoi për moslejimin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të mbahen në Kosovë. Pas atij takimi, u paralajmërua se në jug dhe veri të Mitrovicës, më 25 mars, serbët do të mbanin protesta.
Zgjedhjet serbe do të mbahen më 3 prill. Kosova ka thënë se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pasi ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës.
Por, Vuçiç ka thënë se me këtë veprim, Kosova ka dashur që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

