23-vjetori i bombardimit të Serbisë nga NATO, lot gëzimi në Kosovë, hidhërim në Beograd

Në Kosovë është përkujtuar bombardimi i celulave serbe nga forcat e NATO-s të cilët ndërhynë për të shmangur gjenocidin ndaj shqiptarëve. Ndërsa në Serbi kanë përkujtuar policët dhe ushtarët serbë të vrarë gjatë vitit 1999.

24 marsi shënon 23-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër njësive ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Avionët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë me urdhër të presidentit amerikan të atëhershëm Bill Clinton.

Presidentja Osmani përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, kujton ndërhyrjen e NATO-s si një akt i ndaljes së gjenocidit kundër popullit të Kosovës dhe se është mirënjohëse ndaj aleatëve.

Osmani: 23 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Ne u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë për mbështetjen e rrugës sonë drejt lirisë dhe demokracisë. Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet ta kujtojë këtë histori suksesi.

Kryeministri Kurti, anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe krerë të opozitës kanë vendosur lule në memorialin kushtuar Madeline Albright, për të cilën thanë së bombardimi kundër forcave të Millosheviçit mban vulën e saj.

Ndërkohë në Serbi po mbahet zi.

Përmes një ceremonie, ministri serb i Brendshëm Aleksandar Vulin vendosi lule në Beograd pranë një memoriali në kujtim të policëve dhe ushtarakëve që humbën jetën.

Ministri, i cili tre ditë më parë vendosi lule pranë memorialit të Millosheviçit e quajti një krim ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Vulin: Kalimi i kohës nuk i ka shëruar plagët, ne ende po ëndërrojmë për fëmijët tanë të vrarë të vitit 1999. Ne u vramë nga kundërshtarët dhe aleatët tanë të dy luftërave botërore. Të gjitha sakrificat që bënë serbët për lirinë e njerëzimit u poshtëruan dhe u ofenduan në vitin 1999, kur ndodhi krimi i më i madh i luftës në shekullin e 20-të, i cili ende është i pandëshkuar.

Ceremoni në përkujtim të serbëve të vrarë u mbajtën edhe në Mal të Zi nga partia pro serbe Fronti Demokratik dhe në Banja Lluka në të ashtuquajturën Republika Srpska të Millorad Dodik.