Serbia lë Malin e Zi në krizë për miell

Në Mal të Zi rezervat e miellit vlerësohen të jenë të mjaftueshme edhe për 15 ditë dhe nëse Serbia nuk heq ndalimin e eksportit, vendi do të blejë drithë në shtete të tjera duke rritur edhe çmimet. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Beogradi ka shfrytëzuar nismën serbe ‘Open Ballkan’ për të dërguar sërish miell.

Në Mal të Zi ka miell edhe për 15 ditë.

Ministria e Bujqësisë së shtetit fqinj shprehet se nëse Serbia nuk heq ndalimin e eksportit, Mali i Zi do detyrohet të importojë miell nga tregjet e tjera shumë herë më shtrenjtë.

"Rezervat e miellit në Mal të Zi tani vlerësohen të jenë nga dhjetë deri në 15 ditë. Nëse Serbia nuk e heq ndalimin e eksportit deri në fund të javës, mielli dhe gruri do të duhet të importohen nga tregjet e tjera me çmime dukshëm më të larta, gjë që mund të shkaktojë sërish rritje të çmimeve nëpër furrat e bukës".

Ministria e Bujqësisë shton se po bisedon me palën serbe për mundësinë e heqjes së masës së ndalimit të eksportit të miellit e grurit.

Nga ana tjetër po ky institucion po negocion me vende të tjera për blerjen e miellit, e cila dukshëm për shkak të transportit do të kushtonte shumë më shumë se mielli serb.

Në Maqedoninë e Veriut qytetarëve u kanë thënë që të qëndrojnë të qetë sa i përket furnizimit me miell e grurë nga Serbia.

Nga Beogradi, ministri i Bujqësisë Ljupço Nikolovski tha se nisma serbe ‘Ballkani i Hapur’ ofron ndihmë në përballimin e krizës globale.

Duke e quajtur Serbinë si stabilizuese ekonomike të rajonit, Nikolovski u shpreh se javën e ardhshme do të hiqet ndalimi i eksportit të mallrave serbe për Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë që më herët presidenti Vuçiç bëri një përjashtim edhe për Shqipërinë sa i përket eksportit të mallrave serbe, kryesisht miell, grurë, misër e vaj ushqimor.