SHBA do të nënshkruajë marrëveshjen e gazit me Evropën

Amerikanët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të furnizuar me gaz të lëngshëm kontinentin Evropian deri në daljen nga kriza që e ka kapluar. Ajo që shfaqet si problem nga ekspertët është mungesa e tubacioneve. Në vijim pritet të ketë diskutime mes amerikanëve dhe evropianëve për këtë temë.

Teksa Evropa vuan prej rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, amerikanët kanë propozuar që të ndihmojnë duke furnizuar me gaz të lëngshëm deri në ngritjen e kapaciteteve vetjake të kontinentit.

Ka qenë ky një propozim i Shtëpisë së Bardhë që pritet të diskutohet edhe mes presidentit amerikan Joe Biden dhe shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Evropa ka varësi të madhe nga gazi dhe nafta ruse, teksa vitet e fundit kanë bërë hapa përpara për të diversifikuar burimet energjitike kontinentale, por pa mundur të përmbushin nevojat e tyre. Gjermania bëri me dije më herët se ka ndaluar certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2, një projekt ambicioz që do të furnizonte Gjermaninë me gaz rus.

Evropianët janë të shqetësuar sepse pothuajse 40 për qind e gazit natyror të Bashkimit Evropian vjen nga Rusia dhe përdoret për ngrohjen e shtëpive, prodhimin e energjisë elektrike dhe industrinë.

Në krahun tjetër, burimet energjitike ruse janë një burim kyç i të ardhurave për Moskën, por sipas shumë analistëve edhe një levë gjeopolitike për Kremlinin.

Sipas shumë ekspertëve projekti euroatlantik është shumë ambicioz për të sjellë gaz të lëngshëm nga Amerika në brigjet e Evropës, por edhe nëse SHBA mund të eksportojë më shumë gaz në Evropë, kontinenti mund të ketë vështirësi për ta marrë atë. Kjo vjen për shkak të mungesës së tubacioneve.

Terminalet e importit ndodhen në zonat bregdetare, ku ka më pak lidhje tubacionesh për shpërndarjen e tij. Edhe nëse të gjitha objektet e Evropës do të funksiononin me kapacitet të plotë, sasia e gazit që mund të marrë ka të ngjarë të jetë vetëm rreth dy të tretat e asaj që sjell Rusia përmes tubacioneve.