Zelensky drejtuar Evropës: Ju u vonuat në ndalimin e Rusisë, kishte një shans...

Presidenti ukrainas ka kritikuar vendet perëndimore e më konkretisht Bashkimin Evropian lidhur me sanksionet që ata vendosën ndaj Rusisë. Zelensky thotë se ato ishin të vonuara dhe se po të vendoseshin në kohë nuk do të kishte luftë.

Presidenti i Ukrainës Zelensky gjatë një adresimi ndaj liderëve të Bashkimit Evropian u tha atyre se ndihet falënderues për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, po sipas tij ato janë vendosur me vonesë.

Zelensky: Ju keni aplikuar sanksione. Ju bllokuat gazsjellësin rus Nord Stream 2. Ju jemi mirënjohës dhe me të drejtë. Por ishte pak vonë. Sepse nëse do të kishte qenë në kohë, Rusia nuk do të kishte nisur luftën dhe nuk do të kishte krijuar një krizë gazi.

Më vonë kreu i shtetit gjatë një adresimi drejtuar popullit ukrainas, tashmë për të disatën ditë radhazi i kërkoi sërish paqe Rusisë.

Zelensky: Unë fola me Presidentin e Lituanisë,  kryeministrin e Izraelit dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson. E gjithë kjo në mënyrë që Rusia të kuptojë një gjë, se është e nevojshme të kërkohet paqe. Rusia gjithashtu duhet të kërkojë paqen.

Zelensky gjithashtu përmendi rezistencën e popullit dhe ushtrisë ukrainase gjatë një muaji konflikt të armatosur.

Ai shton se nëse Rusia do ta dinte me çfarë do të përballej në Ukrainë, do ta kishte të vështirë për të hyrë në vend në 24 shkurt.