Kusht i ri për kontratat e tenderit

Institucionet shtetërore duhet të raportojnë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për zbatimin e kontratave të tenderave. Është ky udhëzimi i fundit për autoritetet kontraktore, i cili parashikon 2 raste raportimi: te ndërmjetëm dhe përmbledhës.

I pari duhet të bëhet gjatë zbatimit të kontratës. Në këtë rast, personi ose strukturat e ngarkuara për ndjekjen e kontratës përgatisin një raport sa herë evidentohen situata dhe problematika që ndikojnë në zbatimin e saj sipas kushteve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Situata të tilla mund të jenë modifikimet e kritereve, ndërprerja, përfundimi apo shpallja e pavlefshme e kontrates, si dhe arsyet përkatëse se përse janë bërë këto ndryshime.

Në përfundim të kontratës strukturat e ngarkuara për ndjekjen e tenderit përgatisin raportin përmbledhës për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit.

Dokumentet i dërgohen Agjencisë së Prokurimit Publik jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i punimeve.

Në udhëzimin e Agjencisë është publikuar dhe formulari standard që duhet të përdoret.

Nje levizje e tille pason ate te shtatorit të vitit të kaluar, kur Agjencia ngarkoi institucionet shtetërore te mos ndryshojnë kushtet e kontratave nga ato të përshkruara në dokumentet e tenderit. Për këtë arsye u kërkua hartimi i planit të zbatimit të kontratës pas çdo procedure prokurimi.