Agresioni rus, NATO do dërgojë trupa ushtarake shtesë në Bullgari, Hungani, Rumani dhe Sllovaki
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha ditën e sotme se do të dërgohen katër “grupe luftarake” në shtete anëtare të Lindjes.
Trupat do të vendosen në Bullgari, Hungani, Rumani dhe Sllovaki. Dislokimi i këtyre trupave është pjesë e përpjekjeve që kanë nisur më herët, duke vendosur mijëra trupa më afër Rusisë.
“Pres që liderët të pajtohen për forcimin e qëndrimit të NATO-s në të gjitha fushat, me rritjen e forcave në pjesën lindore të aleancës në tokë, ajër dhe det”, tha ai.
NATO po dërgon elementë shtesë të Forcës së saj të Reagimit, prej 40,000 trupash në vendet e Evropës Lindore në kufi me Rusinë dhe Ukrainën.
Ajo ka 100 avionë luftarakë në gatishmëri të lartë dhe 120 anije, duke përfshirë tre grupe transportuesish, që patrullojnë detet nga veriu i largët deri në Mesdheun lindor.
“Ne do të mbrojmë çdo aleat dhe çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg. SHBA është zotuar të dërgojë më shumë trupa në Evropë – ato do t’i bashkohen katër grupeve luftarake shumëkombëshe që NATO ka në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni dhe brigadës së saj shumëkombëshe në Rumani.
