Elhan Kastrati: Krenari të përfaqësoj kombëtaren. Italia shkollë për portierët

Lojtari tjetër që foli nga grumbullimi me kombëtaren ishte portieri Elhan Kastrati. Portieri 25-vjeçar është titullar fiks te Cittadella në Serinë B dhe pas grumbullimeve me Shpresat, tani për të vjen edhe kapërcimi më lart në ekipin e parë kuqezi.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, kam qenë edhe njëherë më parë pjesë e kombëtares, por është hera e parë me Rejën, gjithnjë është krenari të përfaqësoj kombëtaren. Italia është një shkollë e mirë për portierët dhe jam rritur atje që i vogël, punohet pak më ndryshe se vendet e tjera dhe Itala nxjerr portierë me kualitet. Shqipëria ka një grup me shumë kualitet, këtë e tregojnë rezultatet. Mund të arrijmë diçka të madhe në ndeshjet kualifikuese”.

25-vjeçari, që ka luajtur edhe me Teutën në Superiore theksoi se të gjithë japin maksimumin për ngjyrat kuqezi teksa foli dhe për aventurën në Itali.

"Ndaj Spanjës është pak më e vështirë por do të japim maksimumin. Ndaj Gjeorgjisë edhe rezultati është i rëndësishëm, për Shqipërinë janë ndeshje ku duhet të japim maksimumin. Cittadella? Është viti i dytë që jam atje, po luaj rregullisht. Këtë vit objektivi është të jemi në Play-Off dhe të synojmë Serie A. Jam i lumtur atje. Tifozët janë më kryesorët për ne futbollistët dhe është e rëndësishme të na mbështesin, mbi të gjitha ndaj Gjeorgjisë në shtëpi. Do ishte bukur ta shikonim stadiumin plot”, u shpreh portieri kuqezi në fjalën e tij nga grumbullimi me Shqipërinë.

/Ora News/