Familja e madhe me 9 anëtarë. Gazetarja Anila Zyberaj tregon se për çfarë “grindet” me motrat

Ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ishin të ftuar katër anëtarë të së njëjtës familje, e cila përbëhet nga 9 anëtarë, dy prindër dhe 7 fëmijë, njē familje e madhe e bukur me një lidhje shumë të veçantë, me origjinë nga Kukësi familja Zyberaj prej vitesh jeton në kryeqytet. 

Në studio ishin Anila, Blerimi, Gresilda, Flutura, dhe në lidhje ‘Skype’ nga Anglia motra e tyre e madhe Fatmira.  Anila e nisi bisedën e saj në studio, duke thënë se të jesh pjesë e një familje të madhe është fat dhe begati.

“Të rritesh në një familje të madhe mendoj se duhet ta përjetosh atë që ta kuptosh se çfarë është. Që e vogël është ajo ndjesia që rritesh mes shumë fëmijëve, si mes motrave dhe vëllait. Ku tek secili prej tyre merr nga një këshillë, mësim, ndihmë, mbështetje, etj”, u shpreh Anila.

Ndërsa, për Blerimin si vëllai i vetëm dhe i rrethuar mes motrave është po e njëjta ndjesi dhe shprehet se ndihet fatlum.

 “Unë jam i vetmi vëlla, dhe ndihem shumë me fat dhe i bekuar që ndodhem mes 6 motrave. Secila prej tyre më ka mbështetur dhe motivuar në çdo hap deri më tani. Është Gresilda ajo e cila më mbështet më shumë le të themi, të paktën si unë e ndjej. Pasi, më ndihmon dhe në mësime, gjithmonë mbështetem tek ajo përsa i përket vijimësisë së mësimeve”, tha Blerimi.

Ndërkohë, Fatmira si motra e madhe e të gjithë fëmijëve të familjes Zyberaj, u shpreh se ka pasur vështirësi dhe sfida pafund të rriturit në një familje të madhe, por sipas saj nga ana tjetër ndihet e bekuar. 

Nëse do më pyesësh sot, them se të kesh shumë motra është dhuratë dhe bekim. Por, normalisht ka pasur sfida dhe vështirësi, por në fund të fundit është një ndjesi shumë e mirë dhe e veçantë. Sidomos kur je motra e madhe, padyshim që ke atë përgjegjësin më të madhe kundrejtë më të vegjëlve. Në këtë rast falenderoj pafund mamin, që duke më edukuar, mësuar të merrem me kujdesin e motrave, por edhe të vëllait më ka shërbyer shumë dhe lehtësuar peshën e të qenurit nënë tani”, tha Fatmira.

Së fundmi ata falenderuan prindërit e tyre për gjithë sakrificat dhe mbështetjen e dhënë për tu edukuar dhe arritur aty ku janë sot.