Aktivistja për të drejtat e njeriut Dajana Gërdani: I dimë të drejtat por nuk reagojmë kur duhet

Pjesën e tretë të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora iu kushtua  të drejtave të njeriut në vendin tonë, sidomos lidhur ata me të drejtën për të protestuar. Për të folur më shumë rreth kësaj teme shumë interesante ishin të ftuar katër përfaqësues nga  “Akademia e të drejtave të njeriut”, si Jesmina Sengla, aktiviste e shoqërisë civile, Dajana Gërdani, aktiviste, Armando Braho, gazetar dhe Mario Rabiaj, aktivist i shoqërisë civile. Rabiaj u shpreh në studio se shumë të rinj në ditën e sotme nuk reagojnë të protestojnë, pasi sipas tij kanë mungesë të theksuar të njohjes së të drejtave të tyre. 

 “Ne që jemi këtu jemi të rinj që kemi marrë pjesë në “Akademinë e të Drejtave të Njeriut” dhe falë trajnimeve kemi kuptuar dhe dimë të dallojmë të drejtat tonë.

Por shumë të rinj gjithmonë shprehen se për çfarë duhet të dal në protestë. Pra, me të drejtë ngrejnë këtë pikëpyetje, pasi mendoj se kanë theksim mungese për të drejtat që u takon”, u shpreh Rabiaj. 

Por, nga ana tjetër aktivistja Gërdani, tha se ne si shoqëri reagojmë kur akumulojmë shumë probleme. “Unë mendoj se të rinjtë i njohin të drejtat e tyre, por nuk reagojnë.

Ne si shoqëri reagojmë vetëm atëherë kur preket interesi ynë, kur ne prekemi ashtu si Akili te thembra”, tha Gërdani. Ndërsa, Senga preku një tjetër problematikë të shoqërisë sonë, ku sipas saj komunitete të ndryshme si romët, egjiptianët bullizohen.

“Përsa i përket institucioneve mendoj se institucionet kanë përmirësim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut kohët e fundit, por nga ana tjetër mendoj se edhe qytetarët kanë një avancim dhe ndërgjegjësim mbi këta të fundit. Ndërsa ndryshe janë këto të drejta në komunitete të ndryshe, si tek romët, egjiptianët, etj. Tek këto kemi abuzim dhe paragjykim pa masë, mendoj se shërbimi i institucioneve tek këto komunitete lë për të dëshiruar”, tha Senga.

Sipas Gërdanit të rinjtë stepen për të protestuar.

“Si mund të dal një qytetarë i thjeshtë të protestojë, kur e pret policia për ta arrestuar? Është një stepje që i bëhet qytetarit, dhe pse ka të drejtën e tij të plotë të reagojë”, tha ndër të tjera Gërdani.

Ndërkohë, Braho tha se mungon konsultimi dhe edukimi mes qeverisë dhe qytetarit.

“Institucionet nuk po bëjnë edukim ligjor. Duhen konsultim me qytetarët, pasi ka një ligj në të gjithë botën. Një ligj përpara se të miratohet konsultohet me qytetarin. Këtu tek ne vetëm një herë në 4 vite bëhet kjo, vetëm kur duan votën. Qytetarët janë të pa informuar mbi ligjet”, përfundoi Braho.