Rusia çaktivizon inteligjencën ukrainase, palët raportojnë dëmet e armikut, jo të tyret

Rusia pretendon se ka çaktivizuar qendrën radiofonike të inteligjencës ukrainase, për të cilin Kievi nuk ka ende një reagim. Palët kanë bërë edhe bilancet e shkatërrimit të ushtrisë së armikut, të cilat mbeten ende pretendime për shkak se asnjë palë neutrale nuk ka mundur t’i verifikojë përshirë mediet. 

Rusia pretendon se ka çaktivizuar qendrën kryesore të inteligjencës radiofonike të Ukrainës përmes një goditjeje precize.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes që nga 24 shkurti, Rusia ka shkatërruar 3491 objekte të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës.

Mes tyre 1127 tanke dhe mjete të blinduara, 123 dronë, 115 raketahedhës, 423 artileri dhe mortaja dhe 934 automjete luftarake.

Pala ruse ndërkohë nuk përmend sa trupa janë vrarë nga radhët e ushtrisë ukrainase, apo nga ajo ruse.

Kievi ka publikuar të shtunën të dhëna të reja sa i përket shkatërrimit të kundërshtarit të tyre.

Sipas Ukrainës, më shumë se 12 mijë trupa ruse janë vrarë që prej 24 shkurtit.

Po ashtu ushtria ukrainase thotë se ka shkatërruar 58 avionë luftarakë rusë, 83 helikopterë, 362 tanke, 33 anti-ajrorë, 60 kamionë me naftë, 62 raketahedhës, 585 mjete luftarake.

Dukshëm shifrat e Ukrainës janë më të ulëta se ato të Rusisë, por Moska nuk ka deklaruar shifrat e ushtarëve që kanë humbur jetën në luftë.

Sigurisht që asnjëra nga palët nuk ka deklaruar se sa humbje ka pësuar që nga fillimi i luftës në 24 shkurt.

Mediet ndërkombëtare kanë mundur të verifikojnë disa nga dëmet që 2 ushtritë i kanë shkaktuar njëra-tjetrës, por nuk kanë konfirmuar të gjitha pretendimet e dy palëve.