Rama: Do ngrijmë fitimin, çmimi i karburantit njësoj kudo. Kush e ndryshon humb pikën e karburantit
Çmimet e karburantit do të miratohen nga bordi kombëtar i furnizimit dhe kush shkel rregullin do të humbasë pikën e karburantit. Është ky akti normativ që do të miratohet nga qeveria brenda 24 orëve me pretendimin se do të stabilizojë këtë treg.
Rama: Brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pamiratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit.
Kryeministri kërkoi nga furnizuesit të zgjedhin një përfaqësi me 5 persona për të vendosur çmimet e shitjes. Madje në takim ai u bëri thirrje për patriotizëm.
Rama: Për këtë periudhë kohe duhet ta ndani mendjen që do rezistoni dhe nuk do fitoni. Kjo është një mundësi e artë të shpëlaheni nga çdo mëkat të jetës e të riktheheni fuqishëm pastaj të fitoni kur gjërat me ndihmën e Zotit të fillojnë të normalizohen.
Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se nga nesër do të nisin kontrollet në terren për rezervat e naftës.
Balluku: Jeni të detyruar të mbani rezerva sigurie. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje.
Ministrja theksoi se kush nuk ka rezervën e sigurisë së naftës, masa e gjobës do të jetë 50% sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë.
Për pikat e shitjes që nuk do të respektojnë çmimin e bordit do të ketë sanksione.
Rama: Çdo furnizues që do të vendosë në tabelën e pikës së furnizimit të tij nëj çmim të ndryshëm nga ai që vendos bordi do të humbasë pikën e furnizimit. Kjo do të jetë e sanksionuar në ligj.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë zbuloi se kishte vizituar Dubain dy ditë më parë, për të hapur rrugë të reja të furnizimit të vendit me naftë.
