Chelsea pa mbrojtës, Tuchel kundër klubit: Christensen duhet të qëndrojë
Anton Rudiger pothuajse është i larguar në fund të sezonit aktual si lojtar i lire dhe pas tij mund të shkojë edhe Andreas Christensen. Mbrojtësi danez duket se ka zgjedhur të firmosë me Barcelonën duke lënë Chelsean pa dy mbrojtës shumë të rëndësishëm dhe kjo ka alarmuar trajnerin Thomas Tuchel.
Ai e ka shprehur në një fare mënyre se nuk është i kënaqur që ai mund të largohet duke e bërë të qartë se danezi duhet të rinovojë dhe për këtë e vendos klubi.
“Kemi dëgjuar thashethemet dhe situata me lojtarin ka qenë gjithashtu e qartë prej shumë javësh. Ne nuk jemi të kënaqur, sepse i gjithë klubi, përfshirë edhe mua, mendojmë se është më mirë të qëndrojë. Ai nuk ka nënshkruar ende dhe kjo është një sinjal edhe për ne. Ai nuk na ka thënë se ka firmosur deri më tani, kështu që ne duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë. Nëse largohet nuk do të jemi të lumtur, por nuk ka asgjë personale. Mund të ndodhë, nuk kam informacion të mëtejshëm për të dhënë. Ai është një lojtar i Chelseat, ai e di që ne e vlerësojmë shumë. Ai është në një fazë vendimtare të karrierës së tij, ai është thelbësor për ne, ai është në ekipin perfekt në momentin perfekt, me sistemin tonë të lojës dhe shokët e skuadrës në krah. Duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, për mua kjo është koha kur ai mund të bëhet një lojtar përcaktues për Chelsean në vitet e ardhshme. Nëse vendos ndryshe, nuk do ta marr personalisht. Do ta trajtoj si të tjerët deri në ditën e fundit”, tha Tuchel.
Ai kërkon nga klubi që Christensen të firmosë rinovimin por duket se për drejtuesit nuk ka përparim drejt një akordi mes palëve./Ora News/.
