Italia do të strehojë refugjatët ukrainas në ish-pronat e mafias

Prona, banesa, vila të mafiozëve, të sekuestruara me vendim final nga drejtësia italiane do të përdoren për të përballuar emergjencën humanitare e strehuar refugjatët ukrainas që mbërrijnë në Itali.

Ka shkuar mbi 17 mijë numri i tyre e mijëra të tjera priten të shtohen ditë pas dite në Itali.

Për të përballuar këtë emergjencë strehimi e mikpritje të tyre, Ministria e Brendshme Italiane përmes kryezyrtares Luciana Lamorgese ka urdhëruar rajonet e Prefekturat Italiane të vënë në përdorim pronat, banesat, vilat që u janë sekuestruar mafiozëve e personave të dënuar për krim të struktururar e vepra penale të rënda e që janë në zotërim të shtetit italian.

"Agjensia Kombëtare për administrimin e destinacionin e të mirave materiale të sekuestruara krimit të organizuar në Itali, ka nisur procedurën e regjistrimit të përdorimit të tyre në kohë të shkurtër o më të gjatë, në procesin e strehimit të refugjatëve nga Ukraina", ka deklaruar Ministrja Lamorgese.

Do të jetë kjo agjensi e cila do të transferojë të drejtat e menaxhimit të këtyre pronave, në varësi të Komunave e të autoriteteve lokale, që më pas do t'i përdorin për të përballuar emergjencën humanitare ukrainase.

Agjensia Kombëtare Italiane e Administrimit të Pronave të sekuestruara nga aktiviteti kriminal i mafiozëve e i krimit të organizuar zotëron aktualisht 1637 banesa të tyre, me një vlerë mbi 107 milionë euro.

 Gjithashtu janë rreth 2796 kompani sipërmarrje mafioze të sekuestruara me vendim përfundimtar.

Sipas Ministres së brendshme Italiane, qeveria Draghi është impenjuar totalisht në dhënien e një përgjigje konkrete e të menjëhershme për qytetarët ukrainas që largohen nga territoret e luftës, e në veçanti ndaj fëmijëve e grave.

Komunat italiane do të garantojnë brenda territorit të tyre strehimin e refugjatëve ukrainas në këto prona e do t'i ndihmojnë në kapërcimin e këtij momenti dramatik.

Sipas të dhënave të qeverisë italiane mesatarisht janë mbi 2000 qytetarë ukrainas që çdo 24 orë hyjnë në territorin italian.

Destinacionet kryesore e strehimit të tyre janë Roma, Milano, Bologna, Napoli.