Elon Musk thirrje Europës: Hapni termocentralet bërthamore
Themeluesi i Tesla-s dhe SpaceX Elon Musk i ka bërë thirrje Evropës që të rifillojë stacionet e saj të energjisë bërthamore të cilat aktualisht janë të mbyllura për të zgjeruar prodhimin aktual të energjisë.
Elon Musk Twitter: Shpresojmë se tani është shumë e qartë që Evropa duhet të rindezë termocentralet bërthamore të fjetura dhe të rrisë prodhimin e energjisë për ato ekzistuese. Kjo është kritike për sigurinë kombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare.
Sugjerimet e Musk vijnë pas sanksioneve të njëpasnjëshme të Evropës ndaj Rusisë pas sulmit të Ukrainës.
Musk sugjeroi gjithashtu se energjia bërthamore ishte më e mirë për ngrohjen globale se sa djegia e hidrokarbureve.
Evropës mund t’i duhen vite që të rindezë termocentralet bërthamore të cilat janë mbyllur pas angazhimeve të BE-së në agjendën e gjelbër.
Gjermania mbylli gjysmën e termocentraleve të saj bërthamore në dhjetorin e vitit të shkuar si pjesë e planit për t’u tërhequr nga energjia bërthamore pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011. Edhe Belgjika arriti një marrëveshje për mbylljen e termocentraleve të saj bërthamore deri në vitin 2025
Franca ka mbetur një nga vendet e pakta evropiane që i përmbahet energjisë bërthamore, presidenti Emmanuel Macron njoftoi ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj muajin e kaluar.
Të premten, Musk gjithashtu i bëri thirrje Perëndimit që të rrisë menjëherë prodhimin e naftës dhe gazit, për të kompensuar eksportet ruse, të cilat u ndaluan pas sulmit të Ukrainës. Musk argumentoi se kohët e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme.
