Ushtria ukrainase: Trupat ruse po “rrethojnë” Kievin, 47 të vrarë nga bombardimet dje në Chernihiv

Ushtria ukrainase ka thënë se trupat ruse po vazhdojnë të avancojnë drejt kryeqytetit, Kievit.
“Përpjekjet kyçe të pushtuesve janë të koncentruara në rrethim të Kievit”, ka thënë ushtria ukrainase në raportin e mëngjesit.
Në të nuk janë dhënë hollësi për luftimet brenda qytetit.
Autoritetet e Kievit kanë lëshuar sirenat disa herë gjatë mesnatës dhe banorëve u është thënë që të strehohen në vende të sigurta.
Sipas autoriteteve ukrainase, trupat ruse janë larguar nga baza strategjike ajrore, Hostomel, në perëndim të Kievit.

Qyteti jugor Mariupol është plotësisht i rrethuar, kanë thënë ata, duke shtuar se trupat ruse “kanë shënuar avancim të rëndësishëm teknik".
Ndërkohë dyzet e shtatë persona u vranë në sulmet ajrore ruse në një lagje banimi të qytetit Chernihiv të enjten, thanë autoritetet rajonale.
Gjithsej 148 persona, kryesisht civilë, kanë humbur jetën nga fillimi i sulmeve shtojnë autoritetet lokale. Qyteti me 300,000 banorë ndodhet në veri të vendit, afër kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë.

