Anija me flamurin bangladeshas pre e luftës në Ukrainë. Goditet nga raketa. Vritet marinari/ Shikoni videon

Një raketë apo bombë ka goditur një anije tregtare me flamurin e Bangladeshit e cila ndodhej në portin ukrainas të Detit të Zi, Olvia, duke vrarë një nga anëtarët e ekuipazhit të saj.

Pronari tha sot (3 mars) se po bëhen përpjekje për të shpëtuar të tjerët nga anija. Një video e publikuar në Twitter tregon momentin kur marinarët përpiqen të shuajnë flakët.

“Anija u sulmua dhe një inxhinier u vra”, tha për Reuters Pijush Dutta, drejtor ekzekutiv i “Bangladesh Shipping Corp”

“Nuk ishte e qartë nëse ishte një bombë apo raketë apo cila anë e nisi sulmin. 28 anëtarë të ekuipazhit kanë arritur të shpëtojnë”, tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.

Edhe autoritetet e Bangladeshit konfirmuan shpërthimin.

Banglar Samriddhi me flamurin e Bangladeshit ishte bllokuar në portin e Olvia pas 24 shkurtit 2022 kur nisi pushtimi rus i Ukrainës. Anija tregtare  ishte goditur edhe më herët nga një raketë, tha më herët një zyrtar i ministrisë së jashtme të Bangladeshit.