Çdo tentativë për paqe, Ukraina kërkon ndihmën e Abramovich për armëpushim

Paqja mund të vijë edhe në një mënyrë që mund të mos e mendosh. Roman Abramovich që po sulmohet fort në Britaninë e Madhe mund të luajë një rol kyç në gjetjen e një marrëveshjeje paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

Mësohet se Ukraina ka kontaktuar manjatin rus, i cili njihet si një njeri i afërt me Putin për të ndihmuar në çdo mënyrë për të arritur paqen mes palëve në këë konflikt.

Regjisori dhe producenti ukrainas i filmit Alexander Rodnyansky konfirmoi përfshirjen e pronarit të Chelsea në përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqësore, por shtoi se ai nuk është i sigurt për ndikimin që do të ketë.

“Mund të konfirmoj se pala ukrainase është përpjekur të gjejë dikë në Rusi të gatshëm për t'i ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Ata janë të lidhur me Roman Abramovich përmes komunitetit hebre dhe iu drejtuan atij për ndihmë. Abramovich që atëherë është përpjekur të mobilizojë mbështetjen për një zgjidhje paqësore. Edhe pse ndikimi i Abramovich është i kufizuar, ai është i vetmi që u përgjigj dhe mori përsipër të provojë. Nëse kjo do të ketë një ndikim apo jo, nuk e di, por unë vetë jam në kontakt me stafin e [presidentit të Ukrainës, Volodymyr] Zelensky dhe e di se ata janë mirënjohës për përpjekjet e tij të vërteta”, u shpreh ai në reagimin e tij.

Presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim ushtarak të Ukrainës fqinje të enjten, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës tha të dielën se 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit rus./Ora News/.