S’ka negociata në vende pro-ruse, Rusia në Bjellorusi, Ukraina propozon shtete neutrale
Presidenti i Ukrainës ka refuzuar bisedimet në Bjellorusi për shkak të lidhjeve të Lukashenkos me Vladimir Putin. Zelenski propozon vende neutrale për të biseduar si edhe i bën thirrje luftëtarëve të huaj t’i bashkohen Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zellenski, ka refuzuar ftesën e palës ruse për të biseduar në Bjellorusi.
Mëngjesin e së dielës, zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitri Peskov njoftoi se kishte mbërritur në Gomel të Bjellorusisë për të zhvilluar bisedime me palën ukrainase.
Nga Ukraina duket se nuk ka dakordësi për negociata në Bjellorusi, një vend që njihet gjerësisht si pro-rus.
Presidenti Zellenski ka propozuar që bisedimet të mbahen në vende neutrale si Polonia, Turqia, Hungaria, Sllovakia apo Azerbajxhani.
Zelenski shton se ai do ishte i gatshëm të shkonte në Minsk nëse nuk do kishte sulme nga ana e Rusisë.
Presidenti ukrainas ndër të tjera i bëri thirrje njerëzve anë e mbanë botës që të vijnë të luftojnë krah Ukrainës.
Zelenski tha se duhej të formohej ajo që ai e quajti Legjioni i huaj ku luftëtarë nga vendet e tjera të botës të vinin të luftonin kundër forcave ruse.
Edhe pse vendet perëndimore kanë dërguar armë dhe municione, nuk kanë dërguar trupa në Ukrainë, për të cilën Zellenski ka thënë se vendi i tij është lënë të mbrohet vetë.
Një postim më i detajuar në rrjetet sociale ai tha se shtetasit e huaj lejohen të bashkohen me Ukrainën dhe se një divizion i veçantë luftëtarësh po formojnë të ashtuquajturën ‘Legjioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës’.

