SHBA: Rusët janë të dekurajuar nga rezistenca ukrainase
Forcat ruse po dekurajohen gjithnjë e më shumë nga ajo që Shtetet e Bashkuara besojnë se është një rezistencë e qëndrueshme dhe shumë e vendosur ukrainase, ndërsa Moska po përfshin gjithnjë e më shumë trupa në pushtimin e saj, tha sot një zyrtar i lartë i Pentagonit.
Zyrtari, i cili kërkoi të mos i përmendet emri, tha gjithashtu se duket se komandantët rusë nuk parashikonin të kishin karburant të mjaftueshëm as për mbështetjen elementare logjistike dhe tani po përpiqen të përshtaten.
"Ne vlerësojmë se më shumë se 50% e fuqisë që (Presidenti rus Vladimir) Putin ka grumbulluar kundër Ukrainës (...) tani është i përfshirë" në vend, shpjegoi zyrtari i lartë.
"Unë mendoj se është e sigurt të supozojmë se po flasim për dhjetëra mijëra, por nuk do të jem më konkret."
"Ne gjithashtu vazhdojmë të shohim shenja të një rezistence të qëndrueshme ukrainase," shtoi ai.
"Ne besojmë se rusët po dekurajohen gjithnjë e më shumë pasi e kanë humbur vrullin në 24 orët e fundit, veçanërisht në Ukrainën veriore," tha ai.
Sipas tij, që nga pasditja e sotme, Forcat e Armatosura ruse kishin gjuajtur më shumë se 250 raketa në objektivat në Ukrainë.
Shumica ishin raketa me rreze të shkurtër veprimi, tha zyrtari.
Ndryshe nga pretendimet ruse, raketat “pa dyshim” goditën “infrastrukturën politike dhe zonat e banuara”, shtoi ai.
