Mediat ukrainase: Nova Kakhavka ka rënë në duart e Rusisë

Qyteti Nova Kakhavka ka rënë në duart e rusëve, kanë raportuar mediat ukrainase.

Ky është qytet i vogël, por me rëndësi strategjike në lumin Dniepër, i cili furnizon me ujë Gadishullin e Krimesë.

Kryetari i qytetit, Volodymyr Kovalenko është raportuar të ketë thënë se komiteti ekzekutiv i qytetit ka hequr të gjithë flamujt ukrainas nga qyteti.

Analistët kanë vënë në dukje se avancimi i Rusisë nga jugu ka qenë një nga më të suksesshmit deri më tani, me forcat ruse që kërcënojnë Kherson, Mykolaiv dhe Melitopol.

Forcat ruse kanë hyrë dhe në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Udhëheqësi i administratës rajonale të Kharkivit, Oleg Sinegubov, ka thënë se pajisjet ushtarake “kanë hyrë në qytet”.

Para deklaratave të tij, pamjet kanë shfaqur disa makina ushtarake ruse në zonat e afërta.

Sinegubov u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda, duke thënë se trupat ruse duket se janë në qytet.

“Mos u largoni nga vendet ku jeni strehuar! Forcat e Armatosura të Ukrainës janë duke eliminuar armikun. Civilët nuk duhet të dalin nëpër rrugë”.