Giresse prezantohet si trajneri i Kosovës: Dua ekip me mentalitet të fortë
Pas konfirmimit një ditë më parë në krye të dardanëve, trajneri francez Alain Giresse u prezantua sot në Prishtinë si tekniku i Kosovës. 69-vjeçari vjen pas një experience të madhe me kombëtaret, kryesisht afrikane si Mali, Senegal teksa në konferencën për shtyp të prezantimit foli për ndjesitë e kësaj detyre të re.Siç e konfirmoi edhe ai vet, kontrata e firmosur me Kosovën është deri në vitin 2023, praktikisht ai do të ketë mision Ligën e Kombeve me dardanët.
“E kam vizituar Kosovën disa vite më parë kur president ishte Fadil Vokrri. Kam pasur lidhje shumë miqësore, shumë të forta me të. Në Francë kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, jam prekur shumë. Kur isha në krye të Senegalit, kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me Kosovën në Gjenevë. Atje nuk e njihnin Kosovën. Më kanë pyetur kundër kujt do të luajmë. U thashë se e njoh këtë vend shumë mirë, ndaj duhet të luajmë.”
Më pas trajneri francez nisi dhe analizën e skuadrës dhe atë që shikon te lojtarët e Kosovës.
“Unë vlerësoj një ekip që luan mirë në mbrojtje, por që ka edhe individualitete shpërthyese. Kosova ka lojtarë që janë teknikë dhe kjo është diçka që duhet shfrytëzuar, sigurisht. Gjithsesi, unë shoh nga e ardhmja dhe dëshiroj që me ekipin ekzistues të krijoj një ekip të vërtetë, kolektiv ku të luftojnë në çdo ndeshje. Ka ndeshje të lehta dhe të vështira, por duhet të kemi shpirtin luftarak, gjithmonë duke e respektuar ekipin kundërshtar. Dua një ekip që ka mentalitet dhe moral. Është me rëndësi që kur ekipi të hyjë në fushë, të ndihet i fortë. Shpresojmë në tifozët që të na mbështetin. Ne themi gjithmonë që tifozët janë lojtari i 12-të”, deklaroi nefjalën e tij 69-vjeçari që vjen tashmë me misionin e ri pas një aventure të gjatë më parë të Challandes në krye të Kosovës./Ora News/.
