Prapaskena, Zhang refuzon 900 mln Euro për aksionet e Interit
Administratori i Deleguar i Interit, per ceshtjet financiare, Antonello konfirmoi javën e kaluar se Suning nuk ka ndërmend të shesë aksione të klubit dhe është i vendosur të vijojë angazhimin afatgjatë me klubin me bazë në Milano.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe sot akoma më shumë teksa sipas “Tuttosport”, Steven Zhang javën e kaluar ka patur në tryezë një ofertë konkrete prej 900 mln Euro për shumicën e aksioneve të Interit të cilën e ka kthyer mbrapsht menjëherë.
Siç bëhet e ditur, një fund amerikan ishte pas ofertës për aksionet e Interit, pa e përmendur emrin e saj por familja Zhang duket e vendosur për të vijuar projektin e tyre me kampionët në fuqi të Italisë.
Nuk është rastësi një ofertë e tillë pasi vështirësitë financiare e vunë Interin në një situate shumë të rëndë që detyroi Suning të merrte hua 250 mln Euro nga fondi Oaktree për të sistemuar bilancet.
Por tani me pandeminë e lënë pas dhe pas bondit prej 415 mln Euro të siguruar, Interi ka likuiditet për të paktën 2 vitet e ardhshme dhe nuk ka nevojë per financime të tjera.
Gjithsesi, problemi, nëse do ta quajmë kështu do të afrohet në 2024 kur Suning duhet të kthejë huanë prej 250 mln Euro ndaj Oaktree dhe aty do të kuptohet nëse gjigandi kinez do të paguajë nga xhepi apo do të shesë aksionet në këmbim të huasë./Ora News/.
