Pele mbetet më gjatë në spital, mjekët zbulojnë arsyen

Që prej 13 Shkurtit, legjenda e futbollit, Pele ndodhet në spitalin “Albert Einstein” në Sao Paolo. Ai po vijon me kimioterapinë për të luftuar tumorin në zorrën e trashë që prej kohësh e mundon por teksa duhej të linte spitalin, mjekët bënë të ditur se ish sulmuesi i famshëm brazilian duhet të shtyjë qëndrimin edhe me një javë tjetër.

Arsyeja është një tjetër problem shëndetësor por që mjekët nuk e shikojnë si diçka të rrezikshme pasi bëhet fjalë për një infeksion urinar.

“Gjatë qëndrimit të tij janë kryer analiza rutinë që kanë treguar praninë e një infeksioni urinar, fakt që e ka zgjatur qëndrimin e pacientit në spital”, u shprehën mjekët nga spitali e që nuk dhanë detaje për zhvillimin e tumorit.

Përveç tumorit, shëndeti i Peles është përkeqësuar vitet e fundit për shkak të problemeve të disa problemeve të tjera shëndetësore të shtyllës kurrizore, ijeve dhe gjurit, çka e kanë detyruar t’i nënshtrohet një operacioni tjetër pak kohë më parë./Ora News/.