Zbulohet historia/ Si Armando Broja luajti me Tottenham por zgjodhi Chelsean për një arsye

Armando Broja është lojtari që po bën krenar çdo shqiptar, tifoz apo jo të futbollit. Është emri më i lakuar në ligën më të bukur në botë dhe sigurisht mbron me krenari ngjyrat kuqezi kur shumë mirë mund të kishte zgjedhur edhe Anglinë.

Djaloshi i artë i një familjeje nga Malësia e Madhe asnjëherë nuk ka menduar të mos luajë për Shqipërinë ndërsa kur vjen puna te klubet ai e ka patur një preferencë, madje të fiksuar në mendjen e tij.

Është shtypi anglez që zbulon se Armando Broja që kur ishte 9 vjeç në vitin 2010 kaloi në radhët e Tottenham ku mund të luante edhe sot pasi që atëherë ra në sy por bëri zgjedhjen tjetër.

Ai e nisi karrierën me të rinjtë e Burnham në një zone të Londrës dhe gjatë një ndeshjeje të tij, një zbulues talentesh i Tottenham kishte shkuar për të ndjekur një lojtar tjetër dhe sigurisht që vëmendjen ia tërhoqi pikërisht Armando Broja.

Menjëherë zyrtari i Tottenham ra në kontakt dhe pas shumë ofertave si Reading, Fulham e disa të tjerë, Armando Broja zgjodhi pikërisht Spursat me të cilët luajtu me ekipin Under-9.

Këto janë detaje që askush nuk i dinte por sot shtypi anglez ka shkruar duke goditur Tottenham pasi sipas tyre kanë humbur një talent të madh si Armando Broja.

Pasi luajti me të rinjtë e Tottenham, mësohet se Broja kishte një idhull të tij, Didier Drogba dhe duke qenë se në 2010, sulmuesi afrikan po shkëlqente me 37 gola të shënuar, edhe Broja kërkoi që të luante me ekipin e ikonës së tij, Chelsean ndaj dhe vendosi të largohej nga të rinjtë e Tottenham.

Historia më pas dihet ku bomber kuqezi kaloi çdo nivel të moshave me skuadrën e Chelseat për të ardhur deri këtu ku po bën emër dhe po lë gjurmë në Premier League me Southampton.

Por duke mësuar dhe historinë e tij kuptohet qartë që zgjedhja e parë e Brojës është pikërisht Chelsea, është ky ekip ku ai synon të shkojë dhe të bëhet një yll. Pse jo, sepse talentin e jashtëzakonshëm e ka!/Ora News/.