Marotta zyrtarizon rinovimin me Brozoviç: Objektivi i Interit, titulli

Pas humbjes me Sassuolon, ka një lajm të mirë për Interin. Marcelo Brozoviç, mungesa e të cilit u ndje shumë pikërisht në humbjen e të dielës, do të vazhdojë sërish aventurën me zikaltërit dhe është Marotta që zyrtarizoi lajmin e madh.

“Me Marcelon do të vijë edhe firma në ditët në vijim. Jemi të vetëdijshëm që si klubi ashtu edhe lojtarët duan të vazhdojnë së bashku dhe me Brozoviç do të vijë dhe firma. Edhe me Handanoviç e Perisiç duam të vazhdojmë së bashku, e meritojnë konfirmimin. Vetëm duhet të ulemi e të vazhdojmë, sepse kanë vlera”.

E thënë kjo, për Marottan humbja me Sassuolon nuk duhet të krijojë alibi pasi ai e pohon qartë se objektivi i Interit është titulli që do të thotë edhe një yll i dytë në fanellën zikaltër.

Ne nuk duam të kultivojmë kulturën e alibisë, por e dinim që muaji janar dhe shkurt do të ishin muajt më të komplikuar. Duam të jemi protagonistë të kampionatit deri në fund, këtë sezon do ta luajmë deri në kilometrin e fundit. Inzaghi? është një profesionist shumë i përgatitur, po përmbush plotësisht besimin e dhënë nga klubi. Përtej nokautit të merituar të djeshëm, i cili duhet të na japë vetëm mundësinë për t'u përmirësuar, them se Inzaghi na jep besueshmëri dhe skuadra ka një identitet. Ne jemi kampionë në fuqi dhe duam të mbrojmë Scudetton”, u shpreh Administratori i Interit./Ora News/.