"Arsenal" sanksionesh ndaj Rusisë, Britania e Madhe bllokon 5 banka dhe tre rusë, masa dhe nga BE e Gjermania

Ashtu siç kishin paralajmëruar, forcat perëndimore kanë konkretizuar sanksionet e paralajmëruara prej kohësh ndaj Rusisë, pasi presidenti Putin njohu dy rajonet ukrainase si entitetet të pavarura nga Ukraina.

Një ditë pasi Rusia njohu Donjeckun dhe Luhanskun si entitete të pavarura nga Ukraina, presidenti Putin është shënjestruar nga perëndimi me një sërë sanksionesh ekonomike, ashtu siç premtuan në rast të përshkallëzimit të situatës.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sanksione ndaj pesë bankave ruse dhe tre individëve, e cila do të jetë një kosto e lartë për Rusinë.

Johnson tha se vendosja e trupave ruse në dy rajonet e aneksuara do të sjellë pushtimin e plotë të Ukrainës.

Johnson: Ky parlament nuk duhet të ketë asnjë dyshim se vendosja e forcave ruse në territorin sovran të Ukrainës përbën një pushtim të vendit. Putin po kërkon një pretekst për një pushtim final të Ukrainës, duke mohuar legjitimitetin e saj si shtet dhe duke e paraqitur ekzistencën e saj si një kërcënim vdekjeprurës për Rusinë.

Po ashtu Bashkimi Evropian ka publikuar një deklaratë të përbashkët të paketës së sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.

Sipas dokumentit të publikuar nga institucionet e BE-së, sanksionet synojnë personat e përfshirë në vendime të paligjshme, bankat që kanë financuar ushtrinë ruse, ndalimin e qasjes së Rusisë në tregjet evropiane.

Po ashtu Bashkimi Evropian do të ndalojë rajonet e shkëputura nga Ukraina që të kryejnë tregti me vendet e unionit evropian.

Sipas BE, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat ekonomike të veprimeve të tyre të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ia kanë deleguar përgjegjësinë për t’u marrë me Putinin BE-së kanë thënë se do të sanksionojnë rajonet e shkëputura nga Ukraina.

Të martën edhe kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se kishte pezulluar projektin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, i cili do të kishte peshën kryesore të furnizimit të Gjermanisë me gaz natyror të lëngshëm.