Shitja qesharake e incineratorit të Fierit, kontrata 27.3 milionë euro, 30% e aksioneve u blenë me 30 mijë lekë
Habitë dhe akuzat për manipulimin me koncesionet e mbetjeve nuk kanë fund. Vetëm një javë pasi fitoi tenderin 27 milionë euro, kompania ka shitur 30 për qind të aksioneve për vetëm 30 për qind.
"Vlera e shitjes së kuotave 30% të shoqërisë koncesionare e cila ka përfituar një kontratë 28 mln euro është 30 mijë lekë të reja ose 246 euro" deklaroi Lefter Gështenja.
Komisioni Hetimor për incineratorët ka zbuluar një tjetër skemë të dyshimtë për lëvizjen e parave.
Kompania që ka fituar koncensionin e incineratorit të Fierit me vlerë 27.3 milionë euro i ka shitur aksionet me një vlerë qesharake.
Sipas dokumenteve zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, koncensioni për impiantin e përpunimit të mbetjeve të qarkut Fier u fitua nga shoqëria Integrated Technology Ëaste Treatment Fier me administrator Loran Dushën dhe ortakët Integrated Technology Services në pronësi të Klodian Zotos dhe Energy 2 s.r.l.
Kontrata u nënshkrua më 24 tetor të vitit 2016, por nga të dhënat zyrtare shihet se vetëm një javë më pas shoqëria i ka shitur 10 për qind të aksioneve operatorit "Ndërtim Montimi Patos" kundrejt 10 mijë lekëve.
Ndërkohë në po të njëjtën ditë ky operator në pronësi të Elton Kollozit dhe Ina Kollozit i ka blerë 20 për qind të kuotave shoqërisë "Energy 2" kundrejt 20 mijë lekëve.
Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se vetë kompania fituese e incineratorit të Fierit është themeluar po në tetor të vitit 2016, ndërsa kontrata është nënshkruar vetëm 2 javë pas themelimit të subjektit.
Incineratori i Fierit ka marrë deri tani nga buxheti i shtetit 2.2 miliard lekë, ndërsa deri në fund të vitit 2023 pritet të paguajë 4.5 miliardë lekë ose rreth 37 milionë euro.
Projekti ka një kohëzgjatje prej 6 vjetësh dhe koncesionari do t'i paguajë autoritetit kontraktues një tarifë koncesionare prej 3% të të ardhurave vjetore nga aktiviteti ekonomik.


