Pesë të arrestuar për Turqinë në Kosovë, të rinjtë larguan flamurin turk nga Prizreni në 17 shkurt
Komuna e Prizrenit edhe gjatë këtij përvjetori ka nxitur reagime me vendosjen e flamurit të Turqisë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Policia ka arrestuar 5 të rinj të cilët ulën flamurin turk gjatë festës së 17 shkurtit.
Gjatë së enjtes, ndërsa Kosova po festonte përvjetorin e katërmbëdhjetë të Pavarësisë, Policia e Prizrenit ka arrestuar 5 persona për nxitje të përçarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka arrestuar 5 të rinj, të cilët kanë hequr flamurin e Turqisë nga një shtyllë elektrike pranë Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Sipas prokurorit të çështjes të rinjtë janë ndaluar për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mos-durimit.
Në Komunën e Prizrenit edhe më herët janë regjistruar ngjarje të ngjashme.
Në mënyrë të përsëritur dhe të pashpjegueshme, autoritetet komunale kanë nxitur debate me vendosjen e flamurit turk gjatë festave kombëtare të Shqipërisë e Kosovës.
Flamuri turk është vendosur nëpër shtylla pranë kuvendit të Komunës së Prizrenit edhe gjatë Ditës sonë të Pavarësisë në 28 Nëntori dhe gjatë 17 shkurtit të Pavarësisë së Kosovës.
Në të gjitha rastet, flamuri turk është hequr nga shtyllat duke sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të policisë duke arrestuar autorët.

