Malaj: Gjakmarrja vazhdon ende në zonat e thella të Veriut, ja si im atë pajtoi gjaqet e një vrasje të dyfishtë

Në studion e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishte e ftuar shkrimtarja, poetja Bujana Malaj. 

Ajo rrjedh nga një prej familjeve më të njohura në zonën e Tropojës , ishte i ati që e ushqeu me ndjenjën e solidaritetit ndaj të tjerëve.

 Ajo bisedën në studio e nisi duke kujtuar misionin e babait të saj të ndier, që ka shërbyer për tre dekada në pajtimet e gjaqeve.

“Babai im është marrë mbi 30 vite me pajtimin e gjaqeve. Kjo gjë neve na bën krenarë për këtë mision që ai e ka kryer më së miri dhe me shumë suksese për shumë familje”, u shpreh Malaj.

Ajo tregoi gjithashtu se vështirësitë kryesore në atë kohë ishin ligjet, kanunet për të vendosur paqe mes familjeve. 

"Ne e kemi përjetuar shumë historinë e gjaqeve të familjeve, pasi vinin familjarë për të vendosur paqe dhe merrnin gjithmonë fjalën e babait tim”, tha më tej ajo.

Mulaj, solli në studio një rast konkretë që e kujtonte ende nga fëmijëria.

“Ishte një histori nga një fshat i largët që quhej Lekbibaj, ku kishte ndodhur vrasje e dyfishtë në atë fshat dhe detyroheshin të largoheshin për të qenë të sigurt me familjet e tyre. Por, babai im në këtë rast arriti të vendos paqe mes familjeve, ata u pajtuan. Fatkeqësisht ende në ditën e sotme në zonat e thella të Shqipërisë ekziston fenomeni i gjakmarrjes”, tha ndër të tjera ajo. 

Ajo rrëfeu një emocion të veçantë për të në studio.

“Mbaj mend në një fshat të Tropojës, një mësues kishte hyrë të ndaj dy djem që ishin zënë, por fatkeqësisht vritet mësuesi. Edhe babai i mësuesit nuk pranoi të përcillte të birin për në banesën e fundit pa u falur gjaku. Ka qenë një ndër momentet më emocionuese dhe rrënqethëse për mua”, u shpreh më tej Malaj.

Së fundmi ajo u ndal edhe në botimet që ajo ka bërë, ku u shpreh se “së shpejti do të vij me një botim të ri”.

Kujtojmë që, Bujana Malaj e është e bija e të ndjerit Avdi Rexha, i cili njihet si një ndër misionarët më të suksesshëm për pajtimin e gjaqeve.