Isidor Koti: Marrëdhënia e fqinjve krahasuar me shumë vite më parë ka ndryshuar në mënyrë drastike

Emisioni i pasdites  “Jeto me orën” në RTV ora, ditën e sotme i’u dedikua një teme mjaftë interesante dhe të diskutuar në ditën e sotme. Ishte pikërisht tema “fqinjësia”, ku për të folur më shumë rreth kësaj teme ishin të ftuar Isidor Kotin , gazetar, i cili ka shkruar disa botime që flasin për frymën e komunitetit, Helena Halilaj, pedagoge dhe Eduart Tafa psikolog. 

Për gazetarin Koti, marrëdhënia e fqinjëve krahasuar me shumë vite më parë, ajo ka ndryshuar në mënyrë drastike. 

“Marrëdhëniet me fqinjët kanë ndryshuar shumë, ashtu siç kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet mes shoqërisë. Për shkak të angazhimit tim në komunitetet, më ka bërë të jem  drejtpërdrejt në komunikim me njerëzit. Fqinjësia ndikon shumë në pasurimin e kulturës tek njerëzit. Prandaj mbledhjet e njerëzve janë shumë të domosdoshme, sepse u mundëson atyre të njihen me njëri-tjetrin, të krijojnë raporte’, u shpreh Koti.

 Por, nga ana tjetër sociologu Tafa ndau mendimin e tij në studio, se ende në ditën e sotme kjo marrëdhënie qëndron ngushtë, pasi ai solli në studio një rast konkret. 

“Kam një rast personal, kur një zotëri kërkonte të blente një shtëpi në atë lagje që ishte vetëm sepse, donte të ruante marrëdhënien me njerëzit që njihte aty. Nëse ikën në zona rurale, është si në kohën e 90-ës. Kam nostalgji, kur iki tek të afërmit e mi në fshat të gjithë të flasin, të përshëndesin edhe pse nuk i njeh. Mbaj mend kohë më parë kur emigroi një kushëri i imi në Amerikë dhe kur na tregonte që e kishte përballë komshiun dhe nuk e njihte, ne thoshim sa njerëz të ftohtë që janë”, u shpreh Tafa.

Ndërsa për pedagogen Halilaj, ditën e sotme jetojmë në një kohë që kemi mungesë të theksuar të informacionit kundrejt komshinjve tanë. 

“Pavarësisht se ne i përkasim një brezi tjetër krahasuar me kohë më parë, por komshinjtë janë shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm si pjesë e jetës sonë. Por, në ditën e sotme nuk i njohim më tashmë komshinjtë tanë, nuk e dimë me çfarë njerëzish kemi të bëjmë, janë pozitivë si njerëz, janë pedofilë, apo fake, etj. ne po shkojmë në një marrëdhënie të ndërprerë më ta, mund të përshëndetemi në ashensor, kur kemi probleme me ujin”, u shpreh Halilaj. 

Më tej Koti u shpreh se “njerëzit sot janë bërë shumë selektiv dhe të pavarur. Ata janë gjithmonë e më shumë drejt privates, rastësis, etj. jo çdokush që takojmë e ka atë modestin për t’na përmbushur”.

 Ndër të tjera Halilaj u shpreh se:

“Fqinjët dhe komshinjtë tani nuk janë më ata të cilët jemi lindur dhe rritur me ta. Kjo tek shoqëria e sotme mungon, kemi raste kur përballemi me njerëz që njihemi dhe drejtohemi duke thënë kjo është vajza/djali i lagjes time, pra duke i etiketuar kështu”