Gazetari Agalliu: Uroj që parlamenti italian të marrë parasysh kërkesat për shtetësinë e minoriteteve shqiptare

Në pjesën e dytë të emisionit “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishte i ftuar në lidhje ‘Skype’ nga Italia një shqiptar në profesion gazetar dhe aktivist, Arbër Agalliu. Arbëri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin Arbëresh dhe diasporë në vendin fqinjë.  Agalliu e nisi bisedën në studio duke treguar më tepër mbi misionin e tij për të promovuar arbëreshët në Itali, si dhe njohjen e një sërë të drejtash të tyre. 

Teksa tregoi sesi lindi ideja për këtë, ai rrëfeu një moment shumë të rëndësishëm për të, ku ishte përlotur teksa kishte parë në një vend të Italisë “ekzistencën” e heroit tonë kombëtar.

“Mungesa që kam pasur si në aspektin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në vendin tonë ka bërë që unë të angazhohem për këto të drejta të Arbëreshëve dhe diasporës. Kjo ka ardhur dhe falë studimit dhe leximit të heroit tonë të Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Ka vite që jam larguar, por gjithmonë kam qenë me mendjen për vendin tim. 

Në vitin 2009 kam pasur fatin të vizitojnë vend të vogël, ku çfarë kisha lexuar në libra apo në internet i gjeje në këtë vend të vogël gjurmët e heroit tonë kombëtarë. Jam përlotur në këtë moment dhe kam përjetuar një emocion të veçantë. 

Më pas ika të vizitoja të gjithë vendet arbëreshe dhe i vura vetes një detyrë që t’i dedikoja një hapësirë arbëreshëve, diasporës për t’a mbajtur gjallë, mos me e lënë atë të vdes. Arbëreshët janë thelbësoret që ka shkrua historia jonë, por edhe ata në Europë”, u shpreh Agalliu.

I pyetur nga moderatorja e programit se cila është një ndër vështirësit më të hasura të arbëreshëve në Itali, Arbri u shpreh:

“Vështirësitë që hasin arbëreshët, do e nisja duke e parë në aspektin e  komunikimit. Krahasuar me 14 vite më parë ka ndryshuar shumë, dhe kjo falë rrjeteve sociale, internetit, etj. nëpërmjet tyre sot ata njohin realitetin, pasi në ditën e sotme shumë persona duke pasur një llogari të tyre në rrjetet sociale bëhen pjesë e grupeve në mbarë botën. Arbëreshët nuk janë vetëm këngë, janë tradita, kulturë, dhe komunitet.  Ai u ndal në disa nga aktivitetet e tij deri më tani, duke përmendur disa prej të cilave kanë shënjuar në karrierën e tij. 

“Aspekti i gazetarisë në gazetën më të njohur “AlbanNews”, pasi kemi investuar shumë në komunitetin e arbëreshëve në Itali, ku jemi të parët që kemi ndezur drita të vogla shprese. Normal që, unë personalisht do thoja përfshirja në tregimet e historive të suksesshme të këtyre arbëreshëve këtu më ka bërë të ndihem mjaftë mirë. Gjithashtu edhe aktivizmi që kam marrë për shumë vite në ndryshimin e reformës së ligjit mbi shtetësinë italiane, etj”, u shpreh Agalliu.

Prej më shumë sesa një dekade, ai tashmë është aktivist për të drejtat e Arbëreshëve, lufton në mënyrë të vazhdueshme kundër diskriminimit dhe në favor të përfshirjes së minoriteteve, duke filluar pikërisht nga pakicat gjuhësore shqiptare të Italisë së jugut.