"Porti i Durrësit, aferë Rama-Basha", Berisha: Kandidatja e PS duhet të dalë para drejtësisë

Nga Durrësi Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën se në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama po i grabisin qytetit 800 mijë metër katrorë me projektin e portit. Gjatë prezantimit të kandidatit të Shtëpisë së Lirisë atje, Berisha tha se kandidatja socialiste Emiriana Sako duhet të dalë para drejtësisë.

Sali Berisha ka akuzuar nga Durrësi kryeministrin Edi Rama se në bashkëpunim me kryetarin Basha po i grabisin qytetit 800 mijë m2 tokë për ndërtimin e Portit. Përfshirja e kompanisë së Emirateve të Bashkuara po përdoret sipas Berishës, për të fshehur aferën korruptive të projektit.

"800 mijë m2 me një vlerë prej disa miliard euro dhe kjo për një akt çmendurie të papërmbajtur të korrupsionit të Edi Ramës dhe Lulzim Bravës," tha Berisha.

Teksa kërkoi votën nga qytetarët e Durrësit për kandidatin e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ Ardian Muka, Berisha sulmoi edhe kandidaten e PS Emiriana Sako për të cilën tha se duhet të dalë para drejtësisë.

"Zonja Sako nuk e ka vendin në garën elektorale, por në sallën e gjyqit. Kjo sepse ka firmosur si kryeinspektore për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit, firmë e cila u bë shkas që ata ndërtesa të merrnin jetë në nëntor. Kjo është e vërteta e saj," tha Berisha.

Berisha ka vazhduar më tej me akuza edhe për kandidatin e Lulzim Bashës për zgjedhjet e 6-marsit Ardian Muka.

"Që të gjendet demokrat opozitar të fitojë monopolin e shërbimeve nga Saranda në Shëngjin kjo ndodh vetëm me kandidatin e Lul Bravës," tha Berisha.

Ish-kryeministri paralajmëroi protesta për Projektin e Portit të Durrësit dhe për aferën e incineratorëve.