U arrestua për tritolvënien në shtëpinë e kreut të FSHF-së, lirohet i riu

Atentati me tritol ndaj kreut të FSHF Armand Duka është kthyer në pikën zero. Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu 36-vjeçarin e vetëm të dyshuar Arlen Hasanaj ndërsa mbrojtja duket se ka paraqitur prova të mjaftueshme për pafajësinë e tij.

Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë të lirë të dyshuarin kryesor për vendosjen e tritolit në Shtëpinë e Kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka mbrëmjen e 24 janarit 2022.

Arlen Hasanaj dhe mbrojtja e tij, kanë paraqitur prova të mjaftueshme në Gjykatë që vërtetojnë lëvizjet e 36-vjeçarit para, gjatë dhe pas atentatit duke treguar se ai nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.

Provat e paraqitura u pranuan nga Gjykata, ndërsa gjithçka kthehet në pikën zero dhe sulmi ndaj shtëpisë së Dukës mbetet ende pa autor.

Ora News kishte publikuar edhe më herë të gjithë kamerat e sigurisë së itinerarit të 36-vjeçarit nga ora 21:35 minuta teksa ai ndodhej në një qendër tregtare në Autostradën Tiranë-Durrës, deri në orën 22:05 pra pas një minutë nga shpërthimi ku ai shihej pranë disa qendrave tregtare që ndodhen pranë lagjes nr.4 të Durrësit.

Atentati në derën e jashtme të shtëpisë së Armand Dukës ndodhi në kulmin e përplasjes së FSHF me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u akuzua nga qeveria e sportit për ndërhyrje të rrezikshme në zgjedhjet e brendshme.