Orteku izolon Thethin, në Durrës shiu përmbyt lagjet

Një ortek në zonën e tuneleve në Qafë Thorë, izoloi fshatin turistik të Thethit në Alpe.

Rruga u bllokua gjatë natës kur vendi u përfshi nga moti i keq me erë të forë e reshje shiu.

Kjo foto tregon situatën të martën e 15 shkurtit.

ARRSH që ka në ngarkim rrugën, bën me dije se ka nisur puna për hapjen e këtij segmenti për qarkullimin e automjeteve.

Drejt zonave të tjera turistike në alpe rrugët raportohen të hapura.

Në disa rrugë të tjera vështitësitë krijohen nga rrëshqitjet e gurëve.

Problematika të tilla ka  në akset: Spot-Kam, Valbonë, Vau Dejës-Qafë Qelë dhe Qafë Bualli-fillimi i Rrugës së Arbrit.

Fenomeni i rrëshqitjeve të gurëve mbetet problematic edhe në aksin Elbasan Librazhd, pranë Kthesave të
Murrashit, ku vetëm pak ditë më parë u bë shkak për një aksident tragjik me tre viktima.

Ndaj Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të situatave që mund të krijohen nga kushtet atmosferike.

Reshjet e shiut ndërkohë kanë rikthyer përmbytjet në Durrës. Rruga  "Kristo Sotiri", në lagjen 18 të qytetit bregdetar u përmbyt. 

Uji arriti nivelin e trotuareve duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve por edhe mjeteve në rrugë.

Situatë e ngjashme u krijua edhe në lagjen 5 dhe zonën pranë Stadiumit të qytetit që po ashtu zhytet nën ujë pas çdo reshje shiu.

Moti i keq me erë e shi ka përfshirë të gjithë vendin, ndërsa në zona malore priten reshje dëbore.