Meta emëron gjyqtaren e 10-të në Gjykatën e Lartë, Arbena Ahmeti. Dekreti i hap rrugë plotësimit të Kushtetueses
Dy vite nga ri-nisja e funksionimit, Gjykata e Lartë u plotësua me korumin e nevojshëm prej 10 anëtarësh, numër që i hap rrugë zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Kushtetueses që zgjidhen nga kjo gjykatë
Me dekretimin e fundit nga Presidenti Ilir Meta të gjyqtares Arbena Ahmeti, Gjykata e Lartë plotëson kështu kushtin ligjor për të pasur më shumë se gjysmën e anëtarëve të saj të cilët do të votojnë për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët miratohen me tri të pestat e votave të pjesëmarrësve në votim, pra në rastin konkret me 6 vota pro.
Bashkë me dekretimin kreu i shtetit ka vijuar ti bejë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të vijuar punën për zgjedhjen e anëtarëve te tjerë te gjykates kushtetuese e cila duhet te kete 19 gjyqtare .
"Presidenti i Republikës, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve", ka shkruar Meta
Më 26 janar Gjykata e Lartë njoftoi se e ka të pamundur të thërrasë mbledhjen e posaçme pasi përbëhej me vetëm 9 anëtarë nga 19 që duhet të ketë.
Për të thërritur mbledhjen e posaçme nevojitet edhe anëtari i 10-të. Gjykata e bëri publik këtë konstatim pas miratimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të listës së katër kandidatëve për vendin vakant të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha dhe kërkesës për vijimin e procedurës.
Dekretimi i anetarit të 10 të gjykatës së lartë ka sjellë reagimin e Ambasadores së Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim “ Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm nga Presidenca e gjyqtarit të 10-të në Gjykatën e Lartë.
Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë, gjithashtu i mundëson të emërojë gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese", shkruan ambasadorja.
