"Diamante, ora luksoze, kokainë dhe armë" Shkatërrohet mafia shqiptare në Belgjikë

Policia belge ka kryer një aksion të befasishëm kundër mafias shqiptare mëngjesin e sotëm, duke vënë në pranga 30 anëtarë të grupit të trafikimit të drogës.
Mediat belge raportuan arrestimin e 30 personave, shumica prej të cilëve janë shqipfolës dhe italianë.
Kontrollet filluan në orën 4 të mëngjesit në Bruksel, Anvers dhe disa lokalitete të tjera ndërkohë që prokuroria federale konfirmoi arrestimin e 30 personave të dyshuar. Aksioni është kryer në të njëjtën kohë edhe në disa vende të BE, me mbështetjen e Europolit dhe zyrës së Eurojust. Rrjeti kriminal vepronte në importin e kokainës nëpërmjet porteve të Anversës, Roterdamit, Le Havre dhe Hamburgut.
Sipas medieve, rrjeti i çmontuar, të paktën pjesërisht, mbante lidhje direkte me bazat e prodhimit të kokainës në Amerikën e Jugut përfshirë Kolumbinë dhe Meksikën. Prej andej lënda narkotike importohej në kontejnerë nëpërmjet porteve belge dhe holandeze dhe më pas shpërndahej në të gjithë Evropën, në veçanti në Itali dhe Spanjë.
Hetimi filloi në shtator 2020 kur një kontroll i policisë në një garazh në Bruksel gjeti një sasi të madhe përzierësi që përdoret për kokainën.
Anëtarët e organizatës kriminale për të cilët nuk janë dhënë identitete apo të dhëna të detajuara lidhur me kombësinë, jetonin në Bruksel, por kishin bazat e tyre edhe në rajonin e Anversës, kryesisht pranë portit. Këta persona merrnin kokainën që mbërrinte me kontejnerë në portet e Anversës dhe Roterdamit për ta dërguar në vendet e tjera të BE-së si Italia dhe Spanja. Për transportimin e lëndës narkotike janë përdorur automjete të modifikuara, dërgesa nga kompani transporti, madje edhe avionë privatë.
Hetuesit gjetën prova për këtë rrjet edhe nga mesazhet e zbardhura gjatë operacionit të koduar me emrin Sky në mars 2021.
Komunikimet e koduara të rrjetit SKY EÇ të realizuara në telefona blackberry kanë zbardhur kontaktet me furnitorët e drogës në Brazil, Ekuador, Kolumbi, Peru, Bolivi dhe Paraguaj. Personave të arrestuar mësohet se u janë gjetur edhe pajisje elektronike që shërbejnë si portofol kriptomonedhash të cilat duket se i kanë përdorur për kryerjen e pagesave.

