Vrasja e të riut grek, 20-vjeçari shqiptar del sot para hetuesit, policia helenase në kërkim të "Dinos"
Roxhers Demirazi, 20-vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos dhe plagosjen e dy miqve të tij në orët e para të 1 shkurtit në Selanik, i cili ju dorëzua autoriteteve greke nga policia shqiptare pas arrestimit, do të dalë sot para hetuesit për të dhënë qëndrimin e tij për ngjarjen vdekjeprurëse.
Seanca do të nisë në orën 13:00.
Përmes avokatit të tij ai e kishte përshkruar rolin e tij si periferik.
“Isha ulur në një nga makinat, në sediljen pas pasagjerit. Nuk kisha asnjë send të jashtëligjshmëm me vete dhe nuk kam arritur të bëj asnjë goditje reale në kohën kritike kur ka ndodhur ngjarja thelbësore”, mësohet të jetë qëndrimi që shpreh ai.
Të dhjetë të bashkakuzuarit kanë dhënë tashmë shpjegime në hetuesi për rastin dhe njëri pas tjetrit janë dërguar në burg, pasi u është caktuar masa e ndalimit të përkohshëm.
Njëkohësisht vijojnë hetimet e Sigurimit të Selanikut për identifikimin e personit të 12-të, drejtues i makinës së tretë që mori pjesë në atentat dhe emërohej nga disa prej të akuzuarve me emrin “Dinos”.
