“Skavica” Berisha: Nuk e pranova kontratën e Nanos, i dërguari i Ramës japë të japë llogari për projektin
Nga Dibra, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se në vitin 2005, Fatos Nano kishte firmosur me një kompani të madh italiane, ndërtuesen më të madhe të HEC-eve në Itali, kontratën për Skavicën.
Ai tha se nuk e ka pranuar një projekt të tillë, pasi ishte marrë pa tender dhe se përmbyste tokat e Dibrës.
Berisha shtoi se Nano nuk e realizoi dot projektin edhe pse devijoi, ndërsa theksoi se i deleguari i Ramës duhet të dalë para dibranëve dhe të japë llogari për Skavicën dhe projektin e tij që ka për Dibrën.
Berisha: Në vitin 2005, Fatos Nano kishte firmosur me një kompani të madh italiane, ndërtuesen më të madhe të HEC-eve në Itali, kontratën për Skavicën. Erdhi kompania dhe i thashë nuk e pranoj. Sepse e para e ke marrë pa tender dhe e dyta nuk pranoj përmbytjen e tokave të Dibrës. Italiani ishte serioz, sepse edhe pse kishte nënshkruar kontratën me kryeministrin, kishte shkuar dhe në parlament dhe më tha ke të drejtë.
Bëri një projekt tjetër, me deviacion, pasi me anë të një tuneli e nxirrte Drinin në afërsi të Bicajve. Ai nuk e realizoi dot këtë projekt për arsye të tija. Është e vërtetë se diga e madhe bëhet rregullator për Fierzën, që ka më shumë energji. Sot jemi në kohën e energjisë solare, të erërave, pra ka burime të tjera. Hajde të zhvillojmë energji të tjera dhe të mos përmbysim Dibrën. Ai i deleguari i Ramës që ju ka sjellë këtu nga Tirana, të dalë para jush dhe të japë llogari për Skavicën dhe projektin e tij që ka për Dibrën.
