Adele mbretëresha e mbrëmjes, triumfon me tre çmime
Adele është shpallur mbretëresha e mbrëmjes në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më të mëdha të muzikës britanike, “Brit Awards 2022”. Artistja më e vlerësuar në edicionin e këtij vitit rrëmbeu tri çmime të rëndësishme: “Artisti i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit” me këngën “Easy On Me” dhe “Albumi më i mirë i vitit” me albumin “30”.
Për të dytin vit radhazi, në këtë mbrëmje u shpërblye me çmim edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Ajo ka arritur të triumfojë në një nga dy çmimet për të cilat konkurronte duke fituar çmimin “Artistja më e mire e zhanrit Pop dhe R&B”. Lipa la pas emra të suksesshëm si kantautori britanik: Ed Sheeran, me 4 nominime, Griff dhe Joy Crookes.
Dua nuk ka mundur të jetë prezente në “The O2 Arena” të Londrës për të tërhequr fizikisht çmimin, teksa i ka përshëndetur me një video-mesazh nga larg publikun.
Ajo i falënderoi të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë drejt triumfit të këtij çmimi, ndërsa kërkoi ndjesë që nuk mund të ishte e pranishme në mbrëmje.
Yje të shumtë ishin prezentë në “The O2 Arena” të Londrës për të ndjekur nga afër eventin, ndër ta edhe emrat e njohur ndërkombëtarë si: Olivia Rodrigo, grupi Maneskin e shumë të tjerë. Plot 12 çmime u dhanë për këngët, artistët dhe grupet më të arritura të vitit, mes tyre: Billie Elish, artistja ndërkombëtare më e mire, “ Wolf Alice” grupi më i mirë. Kënga fituese ndërkombëtare e vitit 2022 është “Good 4 U” e këngëtares Olivia Rodrigo dhe çmimi ‘Dance’ shkoi për Becky Hill. Fitues I trofeut “Hip-hop, rap” është shpallur Dave.
