Abazoviç nesër kryeministër/ Mediet malazeze: Presidenti i jep mandatin për të krijuar qeverinë e re

Mediet malazeze kanë mësuar se presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç pritet që t’i japë të enjten mandatin shqiptaro-malazezit Dritan Abazoviç për të formuar qeverinë e re të pakicave.

Dhënia e mandatit do të bëhet pas konsultimeve me përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit të Malit të Zi dhe pas këtij formaliteti, Gjukaonoviç do t’i dorëzojë mandatin kreut të lëvizjes qytetare URA, Abazoviç, si i vetmi që mund të sigurojë një shumicë prej 41 deputetësh nga 81 që ka gjithsej legjislatura aktuale.

Mediet malazeze iu referohen burimeve të tyre të sigurta ku shtojnë se nëse të enjten i jepet mandati Abazoviçit, pritet që deri në fund të muajit të zgjidhet qeveria e re e Malit të Zi me 43 vota.

Dy ditë më parë, kreu i shteti deklaroi se Partia Demokratike e Socialistëve që ai drejton ishte gati të votonte për qeverinë e pakicës, edhe duke mos marrë pjesë në të.

Sipas Gjukanoviç qeveria e pakicës, e propozuar nga Abazoviç është alternativa më e mirë se qeveria e Krivokapiç, e cila do t’i japë fund krizës politike në vend.

Kujtojmë se në 4 shkurt, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç u shkarkua me 43 vota pro.