Greqia lëshon urdhër arresti ndërkombëtar për shqiptarin që u largua pas vrasjes së 19 vjeçarit në Selanik

Autoritetet greke kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për shqiptarin e shpallur në kërkim për vrasjen e 19-vjeçarit grek, javën e kaluar jashtë një stadiumi në Selanik.

Sipas informacioneve, urdhër-arresti ndërkombëtar për 20-vjeçarin shqiptar që dyshohet se është arratisur në vendin tonë pas vrasjes  së 19-vjeçarit,  Alkis Kampanos në Selanik nga një grup tifozësh,  ka mbërritur dje në Ministrinë e Brendshme të vendit tonë.

Pas mbërritjes së urdhër arrestit, autoritete shqiptare kanë  nisur procesi hetimor për gjetjen dhe arrestimin e shqiptarit, shkruajnë mediet greke.

Hetimet kanë nisur nga pikat kufitare midis dy vendeve  por për momentin nuk ka asnjë informacion.

Sipas televizionit shtetëror grek ERT, raportohet se i riu nuk është arratisur i vetëm drejt Shqipërisë.

I riu shqiptar në fjalë është anëtari i 11-të i grupit të huliganëve që mori pjesë në sulmin ndaj Alkis Kampanos mëngjesin e 1 shkurtit dhe është i vetmi që ende nuk është arrestuar për rastin, gjithmonë sipas informacioneve greke.

Ndërkohë mediet  greke, kanë bërë me dije se sulmi është organizuar nga një tjetër shqiptar, 23-vjeçari i cili tashmë ndodhet prapa hekurave.

Të arrestuarit e tjerë kanë dëshmuar gjithashtu  se shqiptari ishte ai që komandonte grupin.