‘Ballkani i Hapur’ mund të bëjë bashkë dy krerët e qeverive, Vuçiç: Gati të bisedoj me Kurtin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur për Ballkanin e Hapur gjatë një interviste për mediet serbe ku ka deklaruar se ishte gati të fliste me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
"Edhe pse nuk e shoh shumë të arsyeshme për ta bërë, jam gjithmonë i gatshëm për të biseduar me Albin Kurtin."
Ndër të tjera, Vuçiç tha se projekti i Ballkanit të Hapur është një projekt i mençur.
Aktualisht nisma serbe ‘Open Balkan’ është përqafuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova e ka refuzuar duke e cilësuar iniciativën si hegjemoni serbe.
Kreu i shtetit serb u ndal edhe te takimi me të dërguarit e posaçëm të SHBA-ve dhe BE-së, Eskobar dhe Lajçak për të cilët tha se patën bisedime të vështira.
"Nuk mund të flas në detaje lidhur me takimin me dy emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, por mund të them se bisedimet ishin tepër të vështira."
Vizita e diplomatëve Escobar dhe Lajçak duket se nuk solli ndonjë përparim të madh në dialogun mes dy vendeve.
Situata mes dy vendeve mund të përshkallëzohet edhe më tej në javët në vazhdim pasi Kosova ka deklaruar se nuk do të lejojë të mbahen në vend zgjedhjet presidenciale të Serbisë.