Propagandë xhihadiste në rrjete sociale, Belgjika arreston 13 persona për terrorizëm

Policia në Belgjikë ka arrestuar 13 persona të martën pas bastisjeve në dhe përreth qytetit Antverp, si pjesë e një hetimi disa mujor mbi aktivitetet e dyshuara terroriste.

Sipas Zyrës së Prokurorit Federal, të dyshuarit ishin pjesë e grupit të njëjtë, të cilin e përshkroi si të afërt me qarqet “salafiste”.

Rreth 100 policë u përfshin në këtë operacion në 13 adresa të ndryshme gjatë bastisjes.

Zyra e Prokurorit nuk dha detaje mbi planet e këtij grupi, por tha se operacioni policor nuk kishte për qëllim që të ndalonte ndonjë kërcënim për sulm të menjëhershëm.

Të 13-të do të dalin para një gjyqtari në Antverp brenda 48 orëve, kur do të merret një vendim nëse do të vazhdojë me akuzat.

“Ne nuk i arrestojmë njerëzit pa arsye. Nëse vendosen në arrest, kjo ndodh sepse në dosje tashmë ka elementë që meritojnë të verifikohen apo të hetohen më tej”, tha zëdhënësi i Prokurorit.

Belgjika në dekadën e fundit ka përjetuar disa sulme terroriste. Në 2016, në këtë shtet u vranë 32 persona dhe u plagosën qindra të tjerë pas sulmeve vetëvrasëse me bombë në metronë dhe aeroportin e Brukselit.