Kola: Ramës i janë futur 2 ish-ministrat e tij në burg, duhet të kishte dhënë dorëheqjen
Në një intervistë për RTV Ora, analisti Vehap Kola u shpreh se vendimi për dënimin e Saimir Tahirit me 3 vite dhe 4 muaj burg është një sinjal për funksionimin e drejtësisë.
Ai tha se Rama tashmë ka dy ish-ministra në burg për krime të rënda dhe gjëja më e pakët që duhet të kishte bërë ishte dhënia e dorëheqjes.
Kola: Drejtësia është një punë afatgjatë dhe e përhershme dhe duhet të ishte kështu, por shpresojmë që kjo të jetë një sinjal që drejtësia është në jetë. Kështu mund të ndiqen zyrtarët e lartë dhe krimet e tyre. Nuk jam i surprizuar që edhe pse u akuza me akuza aq të rënda u dënua me aq vite sa dënohet dikush për vjedhje energji apo për një shtesë pa leje në shtëpi. Duket më shumë si sinjal sesa një akt drejtësie.
Të nisë akuza për grup të strukturuar kriminal dhe të dënohesh për shpërdorim detyre, ka vend për diskutim sigurisht, por mbi të gjitha një njeri i pushtetshëm sot, që deri dje ishte e vështirë t’i hiqej imuniteti dhe nuk lëshohej nga Rama, i cili e konsideronte si më të suksesshëm, doli se mund të dënohej. Mendoj se Rama sot i ka një borxh mediave shqiptare, publikut, opozitës shqiptare për manipulimin që u ka bërë dhe në kushtet e një kryeministri që ka dy ministra në burg për krime shumë të rënda, gjëja më minimale që duhet të bëjë një kryeministër është të japë dorëheqjen.
Kola shtoi se po del duket se Rama ka bashkëpunuar me krimin më shumë se sa aludohet dhe se Saimir Tahirit iu dha merita e fshirjes së Lazaratit, por ai ka qenë i lidhur me krimin.
Kola: Sikurse po del duket se Rama ka bashkëpunuar me krimin më shumë se sa aludohet. Saimir Tahirit iu dha merita e fshirjes së Lazaratit, por ai paska bërë këtë tjetrën. Kjo gjë dihej, por mohohej nga Rama dhe Tahiri. Ai paska qenë i suksesshëm për këto që ka bërë. PS-ja është munduar që në një masë të madhe ta fusë në dorë sistemin e drejtësisë dhe ka pasur në dorë të ngrejë pushtetin e saj. Sigurisht që ka një kontroll në sistemin e drejtësisë, por duket se nuk mjafton për të shpëtuar fytyrën e këtij regjimi nga pasoja të tilla. Sigurisht që Rama e ka një hartim për këtë gjë, sepse e ka ditur që Saimir Tahiri nuk i shpëton burgut.

